Konsumimi i alkoolit nga vajzat e reja mund të shtojë rrezikun e zhvillimit të tumoreve beninje, të cilat mund të nxisin zhvillimin e kancerit të gjirit.
Një varg studimesh kanë konfirmuar se konsumimi i tepruar i alkoolit shkakton një sërë dëmesh në shëndetin e njeriut. Mes tyre ai rrit edhe gjasat për të zhvilluar forma të ndryshme të kancerit, përfshirë edhe atë të gjirit.
Një studim i realizuar së fundmi, ka konfirmuar dëmin që shkakton konsumimi i alkoolit te vajzat e reja, duke nxjerrë në pah se ai shton rrezikun për zhvillimin e tumoreve beninje, nga të cilat mund të zhvillohet kanceri i gjirit.
Rezultatet e studimit tregojnë se vajzat në moshë të re, të cilat kanë konsumuar alkool 6-7 herë brenda javës, kanë qenë për 5.5 herë më të rrezikuara që të zhvillojnë tumore beninje të gjirit.
Autorët e studimit thonë se alkooli është shumë më i dëmshëm në moshën e adoleshencës krahasuar me moshën më të rritur, kjo për faktin se në moshë të re është më i lartë edhe shumimi i qelizave të cilat ndërtojnë indin e gjirit./mjeku/