Përpiqeni të gjeni kohën kur jeni më fertile? Ja disa këshilla se si mund t’i saktësoni ditët në të cilat ju ovuloni – kur qeliza juaj vezë piqet dhe është e gatshme për t’u fertilizuar (për të mbetur shtatzënë).
Gjatë çdo cikli mujor, çiftet e shëndetshme që janë në të 20tat ose 30-tat, të cilat nuk përdorin mjete për parandalim të mbetjes shtatzënë, kanë 20 për qind shanse të mbeten shtatzënë. Dhe kjo është një përqindje e lartë duke marrë parasysh kohëzgjatjen e ovulimi – një periudhë e ngushtë kohore e mbetjes shtatzënë (zakonisht nga 12 deri në 24 orë) gjatë të cilës veza është e pjekur, ose e hapur për t’u fertilizuar nga sperma.
Nuk ju duket shumë e qartë? Kini parasysh se sperma është shumë më e aftë të jetojë më gjatë për të fertilizuar se sa mund të jetë qeliza vezë, diku nga tre deri në gjashtë ditë. Kjo do thotë se edhe nëse ju keni bërë seks disa ditë para ovulimit, ende ka shumë spermë në brendi tuajën që mund ta përqafojë vezën kur ajo të dalë. Dhe mbani mend se duhet vetëm një spermatozoid për ta bërë një fëmijë.
Sigurisht, nëse bëni seks ditën që ju ovuluoni, kjo do të ishte ideale. Pas ovulimit, kjo dritare kohore për fertilizim tenton të mbyllet deri në ciklin e ardhshëm. Andaj, siç tashmë mund ta keni të qartë, saktësimi i ditës tuaj “të madhe të ovulimit”, është çelësi për t’ia arritur qëllimit gjatë marrëdhënies tuaj seksuale. Ja pesë mënyra se si mund të ndihmoni gjendjen e kësaj dite të veçantë.
- Kontrolloni kalendarin: Ovulimi më së shumti ndodh në mes të ciklit tuaj menstrual – cikli mesatar zgjat 28 ditë, duke llogaritur që nga dita e parë e njërës derisa te dita e parë e periudhës tjetër. Por mundësitë janë të shumta dhe cikli juaj mund të ndryshojë nga muaji në muaj. Duke mbajtur një kalendar të ciklit menstrual për disa muaj, ju do të mund të keni një ide se si lëviz cikli dhe kur mund të jetë ovulimi. Përmes këtij parashikuesi të ovulimit ju mund të nxirrni disa data kur mbetja shtatzënë mund të jetë më me gjasë. Nëse periudhat tuaja janë të parregullta, ju mund të duhet të kërkoni edhe shenja të tjera të ovulimit, andaj lexoni më poshtë.
- Dëgjoni trupin tuaj: Nëse jeni si 20 për qind të femrave të këtij grupi, trupi juaj do t’ju dërgojë juve një sinjal kur është ovulimi – një formë dhimbjes therëse ose një varg të ngërçeve në zonën e abdomenit të poshtëm (zakonisht të lokalizuar në njërën anë – anën nga e cila vjen qeliza vezë). E quajtur ndonjëherë “dhimbje e mesit” – ky paralajmërues mujor mendohet të jetë rezultat i pjekurisë ose lëshimit të vezës nga vezorja. Kushtoni vëmendje të kujdesshme kësaj, dhe ju mund të jeni në gjendje ta kuptoni mesazhin.
- Shkruani temperaturën trupore: Kjo është temperatura bazale e trupit (TBT). E matur me një termometër special, TBT është gjëja e parë që duhet të bëni kur zgjoheni në mëngjes, pas së paku tre deri në pesë orë gjumë dhe para se të ngriheni nga shtrati, para se flisni ose edhe uleni. TBT ndryshon gjatë ciklit tuaj për shkak të luhatjeve në nivelin e hormoneve. Gjatë pjesës së parë të ciklit tuaj në gjak dominon estrogjeni. Gjatë pjesës së dytë të ciklit (sapo ovulimi të ndodhë), ka një valë të progesteronit që tajohet. Progesteroni rrit temperaturën e trupit, pasi e bën gati mitrën tuaj për implantimin e qelizës vezë të fertilizuar. Që do të thotë se në pjesën e parë të muajit (menstrual), temperatura juaj do të jetë më e ulët se në pjesën e dytë të muajit, pas ovulimit. Jeni konfuz? Ja një shpjegim më i thjeshtë: TBT do të arrijë pikën më të ulët në momentin e ovulimit dhe pastaj do të rritet menjëherë dhe në mënyrë të theksuar (rreth gjysmë gradë Celsiusi) sapo ovulimi të ndodhë. Mbani mend se mbajtja evidencë e TBT për një muaj nuk do t’ju lejojë juve të parashikoni ditën kur ovuloni, por do t’ju japë një dëshmi për periudhën pasi ovulimi ka ndodhur. Duke mbajtur shënime për TBT për disa muaj ju do të keni një pasqyrë më të qartë të vazhdës së ciklit tuaj, dhe do të mund të parashikoni kur ovulimi do të ndodhë në muajt e ardhshëm – dhe kur është më së miri “të kërceni” në shtrat.
- Njiheni cerviksin tuaj: Ovulimi nuk është një proces krejtësisht i fshehur. Kur trupi juaj ndjen ndryshimet e hormoneve kjo do të thotë se qeliza juaj është gati të lëshohet nga vezorja; trupi fillon ta bëjë gati veten për turmën e spermatozoideve që do të sulmojnë dhe i jep vezës shansin më të mirë të fertilizohet. Një shenjë e dallueshme se ovulimi po vjen është pozita e vetë cerviksit (qafës së mitrës) – një kalim i ngushtë në mes të vagjinës dhe mitrës. Gjatë fillimit të ciklit, cerviksi juaj është poshtë, i fortë dhe i mbyllur. Por kur afrohet ovulimit, ai ngrihet lartë, zbutet ca dhe hapet ca, për të lejuar spermën të kalojë rrugën për të arritur te caku. Disa femra me lehtësi mund t’i ndjejnë këto ndryshime, derisa të tjerat e kanë më të vështirë. Kontrollojeni cerviksin tuaj çdo ditë, duke e prekur me një ose dy gishta, dhe mbani shënime për këto observime tuaja. Shenjat tjera cervikale të cilat mund t’i përcillni janë rritja e sasisë dhe ndryshimet në qëndrueshmërinë e mukusit cervikal (sekretit vaginal, lëngut të trashë që i bën brekët tuaja të ngjitshme). Qëllimi i këtyre ndryshimeve është që t’i lejojë spermës të depërtojë sa më thellë jush.
Pasi periudha juaj përfundon, ju do të ketë një fazë të tharë, të themi; kur keni shumë pak ose aspak mukus cervikal. Derisa cikli vazhdon, ju do të vëreni një rritje të sasisë së mukusit me një dukje të bardhë ose të mjegullt – dhe nëse përpiqeni ta fërkoni në mes të gishtave, ai do të shkëputet (nuk ngjitet, zgjatet). Derisa ju i afroheni ovulimit, ky mukus shtohet edhe më shumë, por tash është më i hollë, i qartë, dhe ka një gjendje më të rrëshqitshme, ngjashëm me të bardhën e vezës së pulës. Nëse ju përpiqeni ta fërkoni në mes të gishtave, ai do të bëhet i ngjitshëm dhe do të zgjatet në disa centimetra para se të shkëputet. Kjo është edhe një shenjë tjetër se ovulimi po afrohet – si edhe një shenjë se ju duhet të dilni nga banja dhe të shkoni në krevat. Sapo ovulimi të ndodhë, ju mund të bëheni ose sërish të thata ose të zhvilloni një sekret tjetër më të trashë.Së bashku me kontrollin e gjendjes së cerviksit dhe TBT të nxjerrë në formë tabelare, përcjellja e mukusit cervikal mund të jetë një mjet shumë i dobishëm (edhe pse jo i këndshëm) për të saktësuar ditën në të cilën ju do të jeni më me gjasa të ovuloni dhe në të cilën ditë do të duhej të shijoni marrëdhënien më magjike me partnerin tuaj. - Blini pajisje parashikuese të ovulimit: Nuk dëshironi të përlyheni me mukus? Ndoshta edhe nuk keni nevojë. Në treg sot mund të gjeni teste të ovulimit – pajisje specifike të cilat janë në gjendje ta parashikuese datën e ovulimit 12 deri në 24 orë më parë. Këto teste shikojnë nivelet e hormonit luteinizuese (LH), që është hormoni i fundit që arrin kulmin para se ovulimi të ndodhë. Gjithë çfarë duhet të bëni është të kryeni urinën në një plastikë dhe të pritni ajo t’u tregojë nëse jeni duke ovuluar.
Një opsion tjetër është edhe testi i pështymës, që shikon nivelet e estrogjenit në pështymën tuaj kur ovulimi afrohet. Ka edhe pajisje të tjera të cilat kontrollojnë disa kripëra (kloruret, natriumin, kaliumin) në djersën e femrës, që ndryshon në kohë të ndryshme të muajit menstrual. Të quajtura valë jonike, këto ndryshime ndodhin para valëve të estrogjenit dhe hormonit luteinizues, andaj këto teste u japin femrave një paralajmërim katër-ditor se kur ajo mund të ovulojë, ndryshe nga testet që analizojnë urinën, të cilat mund të paralajmërojnë ovulimin vetëm 12 deri në 24 orë para.Megjithatë, asnjëra prej pajisjeve parashikuese të ovulimit nuk do t’ju garantojë se ju do të mbeteni shtatzënë ose se do të ovuloni në kohë: ata vetëm sinjalizojnë se kur ovulimi mund të ndodhë. Pavarësisht se cilën metodë ose pajisje e zgjidhni, durimi dhe këmbëngulësia janë çelësi! Vetëm mos harroni darkat romantike, vaskat e ngrohta, ose një ikje romantike për një vikend – ose gjithçka që ju çon juve dhe partnerin tuaj në një humor për të nisur foshnjën./mjeku/