Tash është koha kur fëmijët rikthehen në shkollë – dhe të gjithë prindërit duhet të kontrollojnë kokën e tyre për të parë nëse morrat janë shfaqur, ose rikthyer te “strofulla”.
Shfaqja e morrave në kokë është më e shpeshtë në mesin e fëmijëve para-shkollorë, atyre shkollorë dhe fëmijëve në kopshte, dhe ajo nuk zgjedh zonë. Sipas Qendrës Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, dhe në SHBA ka nga 6 milionë deri në 12 milionë raste të shfaqjes së morrave në kokë.
Dhe, ndryshe nga çfarë besohet, higjiena e dobët në kokë nuk është fajtore për këtë. Morrat në kokë shpërndahen nga kontakti i drejtpërdrejtë kokë-më-kokë me një fëmijë tjetër që i ka ato. Pasi fëmijët më të rinj tentojnë të luajnë më afër njëri-tjetrit, ata janë në rrezik më të rritur për t’u mbushur, thotë Dr. Patricia Brown, dermatologe në FDA, SHBA.
Por, ka disa mënyra për të ulur gjasat e mbushjes së fëmijëve tuaj me morra. Mësoni ata të shmangin kontaktin kokë-më-kokë me fëmijët tjerë, dhe të mos i ndajnë veshjet – veçanërisht jo kapelat, shallet dhe shamitë – si dhe gjërat tjera personale si peshqirët, kapëset e flokëve, dëgjueset e veshit, brushat dhe krehrit e flokëve.
Mos i lejoni fëmijët tuaj të shtrihet në shtretër, krevate, jastëkë, qilima ose kukulla prej pelushi, të cilat së fundi kanë qenë në kontakt me dikë të huaj, e sidomos jo nëse fëmija ka pasur morra.
Në cilëndo zonë në të cilën ka qëndruar personi me kokë me morra, pastrojeni dyshemenë dhe orenditë me thithëse vakum. Kurdo që keni mundësi, pastroni gjërat më të vogla me anë të makinës larëse me ujë të nxehtë dhe vendosni ata në një tharëse me temperaturë të lartë. Çfarëdo që nuk mund të pastrohet, duhet të pastrohet në të thatë ose të vendoset në një qese të mbyllur mirë dhe të lihet të qëndrojë për dy javë.
Sipas FDA, kur morrat bien nga koka e një personi, ata arrijnë të mbijetojnë vetëm një ditë ose dy, pasi nuk arrijnë të ushqehen. Këto insekte që thithin gjakun nuk fluturojnë, ose të kërcejnë, dhe mund të lëvizin vetëm duke u zvarritur.
Nëse, pavarësisht përpjekjeve tuaja, mbushja me morra ndodh, ka një numër të trajtimeve të përshkruara dhe atyre që mund të merren pa recetë, të cilat vendosen në kokën e fëmijës.
“Por, shumica e tyre nuk përdoren te fëmijët nën moshën dyvjeçare, andaj lexoni me kujdes etiketën para se ta përdorni ndonjë produkt, për t’u siguruar se është i sigurt për t’u përdorur nga fëmijët”, këshillon më tej Brown.
Bisedoni me mjekun ose farmacistin tuaj për trajtimet e rekomanduara, bazuar në peshën dhe moshën e fëmijës tuaj, ndiqni udhëzimet e dozimit, dhe mos e përdorni produktin më shumë se sa është udhëzuar, përderisa nuk u është thënë ndryshe nga ndonjë personel shëndetësor.
Kur ta keni ilaçin në duar, aplikojeni atë vetëm në kokë dhe qimet e kokës, jo në pjesët tjera të trupit. Pasi e keni shpërlarë kokën, përdorni krehër me dhëmbë të ngjeshur për të larguar morrat e vdekur dhe vezët e tyre (thërrijat).
Pasi e keni kompletuar trajtimin e nevojshëm, e gjithë familja duhet të kontrollohet nëse ka morra sërish pas një jave. Nëse trajtimi nuk është i suksesshëm dhe morra sërish gjenden, kontaktoni mjekun tuaj për të marrë një këshillë tjetër./mjeku/